Për herë të parë, që pas hapjes së
këtij blogu, vendosa te bëj një postim në shqip. Kjo sepse do të shkruaj për një vend traditash e s'do kishte gjuhë më
të bukur se shqipja për ta përshkruar. Do flas për një vend të
vogël në Jug të Shqipërisë që e vizitoj shpesh, një fshat të
vogël në rrethin e Përmetit të quajtur Petran, prej një guri të
madh që gjendet në hyrje të tij.
Shpesh, kur më pyesin se nga jam, pa e
menduar gjatë përgjigjem gjithmonë « Elbasan », pasi
origjina rëndom ngatërrohet me vendlindjen, ndërsa babai im,
ndonëse i lindur në Tepelenë dhe i rritur pak në pothuaj çdo
qytet të Shqipërisë, përgjigjet me krenari se është përmetar. Në fund të fundit, vendi yt është atje ku ke gjithë njerëzit
e tu, jo aty ku jeton.
Babai im është përmetar, për pasojë edhe unë... Në këtë fshat të vogël të Përmetit, para shumë
vitesh, gjyshërit e mi të cilët i kishin shtëpiat ngjitur e ngjitur, u martuan dhe u shpërngulën së bashku në qytet.
Gjyshi im ka punuar gjithmonë si
oficer, e i është dashur të shpërngulet herë pas here në qytete
të ndryshme e destinacioni i fundit para marrjes së pensionit ka
qenë pikërisht Elbasani, ku dhe fëmijët e tij krijuan familjet
përkatëse. Pavarsisht kësaj, një pjesë e madhe e kushurinjve
tanë jetojnë ende në fshatin e vogël të Petranit.
Këtë vit, pas një pauze pesë
vjeçare, vendosëm t'i kushtonim një fundjavë para nisjes sime për
në Francë. Besoj se kam arritur më në fund moshën « preferoj
malin para detit » vjeç.
Nuk besoj se do preferoja të
shtrihesha në diell gjithë ditën, për çdo ditë të javës;
sesa të flija nën zhurmën e bulkthave me një batanije të
ngrohtë, të zgjohesha dhe të pija qumësht të sapo mjelë, të
haja petka (makarona të bëra vetë) për mëngjes, të këpusja
veshin e rrushit në vreshta e ta haja ashtu të freskët, të njomja
spinaqët e sapo mbjellë me markush, të më bëheshin duart me jod
nga çarja e arrave (ose kaçka, si u thonë përmetarët), të haja
gliko arre për çdo vizitë që do bënim, t'i hipja gomaricës dhe
të miqësohesha me të, të shikoja lule bamjeje si dhe bamjen më
të madhe që mund të imagjinohet apo të kaloja urën e « Shrekut ».
Por përpos gjithë çfarë thashë,
nuk ka gjë më të mirë sesa të njohësh rrënjët e tua sikurse
kushurinjtë me të cilët ndan të njejtin mbiemër.
Pra për këdo që pyet, jam përmetare, por e lindur në Elbasan.
Bamje të madhësive të ndryshme
Gomarica quhesh Sorka, shkurtim për fjalën sorkadhe.
Lumi i Vjosës
Shkëmbi që gjendet në hyrje dhe që i ka dhënë fshatit emrin Petran
Duke kaluar mbi një urë mesjetare, pranë llixhave të Bënjës.
Duke ngrënë kaçka
Lule bamjeje
Inicialet e xhaxhait të babit, në shtëpinë e tij
Domate, erëza dhe fiq që janë vënë në diell për tu tharë
Me Nënonë, plakën më të lezetshme të fshatit
Për ta mbyllur, foto ushqimesh tradicionale. Petka, gliko arre (kaçke) dhe byrek me lakra e qumësht bio :)
Faleminderit për vizitën
Me dashuri, shega
bravo Hega...! njeriu duhet te jete krenar per origjinen... dhe kush ka sy sheh te bukuren edhe ne gjerat me te thjeshta...
ReplyDeleteShega je e mrekullueshme. Me pelqejne shume temat e tua. Vazhdo keshtu.
ReplyDeleteZemra ime sa e bukur je ne cdo gje
ReplyDelete